Këshilli i Ministrave ka miratuar një paketë vendimesh që prekin arsimin parauniversitar, Forcat e Armatosura, Policinë e Shtetit dhe rregullimin e lojërave të fatit.
Ndryshime në pagat e arsimit
Qeveria ka miratuar ndryshime në strukturën dhe nivelet e pagave për punonjësit mësimorë dhe jomësimorë të sistemit arsimor parauniversitar. Vendimi hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare dhe efektet financiare llogariten nga 1 janari 2026.
Rishikim pagash për ushtarakët dhe policinë
Janë miratuar ndryshime edhe për trajtimin me pagë dhe shtesa mbi pagë të ushtarakëve aktivë të Forcave të Armatosura, si dhe për elementët e pagës bruto mujore dhe kriteret e shpërblimeve për punonjësit e Policisë së Shtetit.
Krijohet Inspektorati Qendror i Arsimit Parauniversitar
Ekzekutivi ka vendosur ngritjen e një strukture të re, Inspektoratit Qendror të Arsimit Parauniversitar, që do të monitorojë zbatimin e standardeve në institucionet arsimore.
Mbështetje për të rinjtë
Janë miratuar rregullat për organizimin dhe shpërblimin financiar të pjesëmarrësve në Programin e Talenteve Rinore, me synim nxitjen e të rinjve të dalluar.
Regjistër elektronik për lojërat e fatit
Në fushën e lojërave të fatit, qeveria ka vendosur krijimin e një Regjistri Elektronik për personat të cilëve u ndalohet hyrja në ambiente fizike apo platforma online të licencuara. Vendimi përcakton procedurat për paraqitjen dhe shqyrtimin e kërkesave për përfshirje apo përjashtim nga ky regjistër.
