Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, ka reaguar ndaj ndryshimeve në kabinetin qeveritar, duke deklaruar se largimi formal i Belinda Ballukut nuk sjell ndryshim real në qeveri.
Sipas tij, emërimet e reja në sektorët e energjisë, infrastrukturës dhe mbrojtjes janë persona të afërt me Ballukun, çka – sipas Korreshit – do të thotë se ajo do të vijojë të ndikojë përmes tyre.
“Nuk pres ndonjë ndryshim. Balluku deri dje firmoste vetë, tani do firmosë përmes të tjerëve”, u shpreh ai, duke shtuar se ministri i ri i Infrastrukturës dhe Energjetikës, Enea Karakaçi, ka qenë më parë drejtues i OSHEE dhe, sipas tij, është nën hetim nga SPAK.
Korreshi e sheh edhe largimin e Elisa Spiropalit si pasojë të përplasjeve të brendshme në Partinë Socialiste. Ai theksoi se ndryshimet në qeveri janë bërë në prag të vendimit të Kuvendit për kërkesën e SPAK ndaj Ballukut dhe i cilësoi ato si përpjekje për të zbutur presionin politik dhe ndërkombëtar.
Në përfundim, deputeti demokrat deklaroi se objektivi i opozitës mbetet rrëzimi i qeverisë Rama, duke argumentuar se, sipas tij, ndryshimet aktuale nuk përfaqësojnë një reformim real të ekzekutivit.
