Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka reaguar ndaj fjalës së Kryeministrit Edi Rama në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PS-së, duke e akuzuar se fokusi i tij është shpëtimi i Belinda Ballukut nga arrestimi dhe jo problemet reale të qytetarëve.
Sipas Shehajt, një e treta e vendit, veçanërisht zona e juglindjes, është e izoluar për shkak të situatës së rrugëve, ndërsa qeveria – sipas tij – po merret me justifikime politike.
“1/3 e Shqipërisë është e bllokuar, nuk vjen dot në Tiranë, nuk gjen dot informacion mbi hapjen e rrugës, por gjen argumentet pse Balluku nuk duhet të arrestohet nga SPAK-u”, deklaroi Shehaj.
Ai akuzoi gjithashtu Ramën se po sulmon drejtësinë dhe po cenon balancën mes pushteteve, duke e zhvendosur debatin nga çështjet infrastrukturore drejt mbrojtjes së zyrtarëve të tij.
