Ish-Presidenti i Republikës, Ilir Meta, përmes avokatit të tij Kujtim Cakrani, ka depozituar në Gjykatën e Posaçme (GJKKO) një kërkesë zyrtare ku kundërshton mënyrën e paraqitjes së tij në sallën e gjyqit. Meta thotë se është vendosur në një kabinë xhami apo strukturë metalike izolimi, të cilën ai e konsideron shkelje të të drejtave kushtetuese dhe standardeve ndërkombëtare të procesit të rregullt ligjor.
Mbrojtja: Kabina e xhamit është stigmatizuese dhe krijon perceptim faji
Në kërkesën drejtuar trupit gjykues, mbrojtja e Metës argumenton se vendosja e ish-presidentit në një hapësirë të mbyllur e izolon atë fizikisht dhe vizualisht nga pjesa tjetër e sallës, duke krijuar një imazh negativ dhe një paragjykim të mundshëm te publiku dhe mediat.
“I pandehuri është paraqitur në kabinë xhami/kafaz metalik, i izoluar fizikisht dhe vizualisht nga pjesa tjetër e sallës. Ky trajtim e stigmatizon atë dhe krijon perceptimin e rrezikshmërisë dhe fajësisë së paracaktuar,”
– thuhet në shkresën e dorëzuar në gjykatë.
Sipas mbrojtjes, kjo formë paraqitjeje e trajton Metën “si objekt sigurie, jo si subjekt të së drejtës”.
Pretendimi për shkelje të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut
Avokatët argumentojnë se vendosja në kabinë të mbyllur:
- shkel nenin 3 të Konventës Evropiane, që ndalon trajtimin çnjerëzor dhe poshtërues;
- cenon nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6 të KEDNJ, pasi pengon komunikimin e lirë dhe konfidencial me avokatin;
- dëmton prezumimin e pafajësisë, duke krijuar perceptim të gabuar para gjyqtarëve dhe publikut.
Mbrojtja kujton se Komiteti Evropian Kundër Torturës ka kritikuar përdorimin e kafazeve apo ndarjeve të mbyllura në sallat gjyqësore, duke i konsideruar të papranueshme për proceset demokratike.
Meta kërkon të ulet pranë avokatit gjatë gjithë procesit
Në dokument zyrtarisht kërkohet që Meta të mos paraqitet në kabinë xhami, por të ulet pranë mbrojtësit të tij, pa asnjë barrierë fizike që kufizon komunikimin apo krijon perceptim negativ.
Sipas mbrojtjes, situata aktuale krijon kushte që e “dehumanizojnë” të pandehurin dhe prishin balancën e procesit të drejtë.
Mbrojtja: Pa heqjen e këtij trajtimi, seancat nuk mund të zhvillohen
Në fund të kërkesës, mbrojtja shprehet se seancat gjyqësore nuk duhet të vazhdojnë nëse nuk ndryshon mënyra e paraqitjes së Metës, duke e konsideruar këtë element si cenues të dinjitetit dhe të drejtave themelore të mbrojtjes.
