Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen protestës së opozitës, e cila do të mbahet ditën e shtunë në orën 18:00. Në fjalën e tij nga foltorja përpara Kryeministrisë, Berisha theksoi se largimi i kryeministrit Edi Rama nga pushteti varet vetëm nga reagimi i qytetarëve.
Sipas tij, askush tjetër përveç shqiptarëve nuk mund ta detyrojë Ramën të largohet nga detyra. “Edi Ramën nga ajo zyrë nuk e nxjerr askush tjetër përveç nesh,” u shpreh Berisha, duke e cilësuar situatën aktuale si një provokim të rëndë ndaj opozitës dhe qytetarëve.
Ai u ndal edhe te zhvillimet në Komisionin e Mandateve, duke akuzuar mazhorancën për zvarritje dhe shmangie të vendimmarrjes lidhur me kërkesën për heqjen e imunitetit të zv.kryeministres Belinda Balluku. Sipas Berishës, demokratët mbështetën propozimin e prokurorëve, ndërsa përfaqësuesit socialistë u larguan pa votuar.
Në fund të fjalës së tij, Berisha përsëriti thirrjen për mobilizim, duke deklaruar se protesta e së shtunës do të jetë një reagim i gjerë qytetar kundër qeverisë. “Të shtunën, në orën 18:00, e gjithë Shqipëria kundër Edi Ramës,” përfundoi ai.
