Prokurorët e SPAK paraqitën në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin prova të reja që, sipas tyre, rëndojnë pozitën e zv.kryeministres Belinda Balluku, duke kërkuar autorizimin për vendosjen e një mase arresti ndaj saj.
Sipas kreut të grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, në seancën me dyer të mbyllura prokurorët kanë deklaruar se “persona të fortë” dhe anëtarë të kabinetit të Ballukut kanë kontaktuar dhe intimiduar dëshmitarë përmes kërcënimeve, presioneve për largim nga puna apo ofertave monetare.
SPAK u përfaqësua në Kuvend nga drejtuesi i institucionit, Klodian Braho, si dhe prokurorët Dritan Prençi dhe Dorina Bejko. Sipas Bardhit, referuar veprave penale për të cilat akuzohet, Balluku rrezikon një dënim deri në 25 vite burg.
Aktualisht, Balluku ndodhet nën masën e ndalimit të daljes jashtë shtetit, ndërsa çështja e pezullimit nga detyra mbetet në pritje të hyrjes në fuqi të vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Avokatët e saj, Ardian Kalija dhe Palema Qirko, kanë deklaruar se masat janë zbatuar dhe nuk ka nevojë për zëvendësimin e tyre, duke mohuar pretendimet për kërcënim dëshmitarësh.
Pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit, çështja pritet të kalojë për votim në seancë plenare, ku mazhoranca dhe opozita kanë paralajmëruar raporte të ndara mbi kërkesën e SPAK.
