Një ish-anëtar i Forcave Ajrore të SHBA-së, Matthew James Sullivan, është gjetur i vdekur në rrethana që kanë ngritur pikëpyetje, vetëm pak muaj para se të dëshmonte në Kongres për programe sekrete që lidhen me UFO.
Sipas autoriteteve mjeko-ligjore në Virxhinia, vdekja e tij, e ndodhur më 12 maj 2024, është klasifikuar si mbidozë aksidentale nga kombinimi i alkoolit me medikamente si Alprazolam, relaksues muskujsh dhe antidepresivë.
Megjithatë, rasti ka shkaktuar reagime politike në SHBA. Kongresmeni Eric Burlison e cilësoi situatën “jashtëzakonisht shqetësuese” dhe kërkoi përfshirjen e FBI, duke ngritur shqetësime për sigurinë kombëtare.
Në një letër drejtuar drejtorit të FBI-së, Kash Patel, theksohet se rrethanat e papritura të vdekjes ngrenë dyshime, veçanërisht për faktin se Sullivan po përgatitej të jepte dëshmi publike.
Vetë FBI ka konfirmuar se po shqyrton nëse ekzistojnë lidhje mes këtij rasti dhe rasteve të tjera të shkencëtarëve të zhdukur ose të vdekur në mënyrë të dyshimtë, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Sullivan kishte një karrierë të gjatë në struktura të ndjeshme si US Air Force dhe National Security Agency, dhe ishte dekoruar me medaljen “Bronze Star” për shërbimin e tij.
Sipas burimeve, ai kishte qenë pjesë e programeve sekrete për mbledhjen e mbetjeve të UFO-ve dhe pritej të sillte dëshmi që mund të ndriçonin dekada aktivitetesh të fshehta.
Rasti ka rikthyer në vëmendje edhe deklaratat e ish-oficerit David Grusch, i cili më herët kishte pretenduar se SHBA zotëronte objekte fluturuese të paidentifikuara dhe materiale biologjike “jo-njerëzore”, duke shtuar se kishte marrë kërcënime për jetën.
Ndërsa hetimet vijojnë, rasti Sullivan po nxit debate të reja mbi transparencën dhe sigurinë e personave që pretendojnë të zbulojnë sekrete të ndjeshme shtetërore.
