Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas kritikave për udhëtimin e tij me helikopter drejt Korçës, në një kohë kur aksi Përrenjas–Librazhd është i bllokuar për shkak të shembjes së dherave.
Në një postim në rrjetin “X”, Rama sqaroi se udhëtimi ishte planifikuar më herët, pasi do të shoqërojë një grup investitorësh ndërkombëtarë në fushën e arsimit të lartë, të cilëve do t’u prezantohen projektet në Korçë dhe Vlorë. Sipas tij, investitorët po përdorin helikopterin e tyre, ndërsa delegacioni shqiptar po përdor helikopterin e Forcave të Armatosura, i cili kryen orë të planifikuara fluturimi çdo muaj.
Sa i përket shembjes së rrugës, Rama theksoi se bëhet fjalë për një rrëshqitje gjeologjike të masivit natyror pranë rrugës së vjetër, e cila ka prekur edhe aksin e ri, por sipas tij nuk ka lidhje me përgjegjësi profesionale apo teknike të autoriteteve.
Ai shtoi se fenomene të tilla ndodhin edhe në vende si Italia, duke e cilësuar të padrejtë atribuimin e situatës qeverisë.
