Një ngjarje e disa ditëve më parë në Elbasan, ku dy motrave Alda dhe Xhovana Nikolli që jetonin në një apartament me qira iu vu tritol në banesë, ka nxjerr në pah detaje të reja që në fokus kanë lidhjet e tyre me të penduarit e drejtësisë.
Ka qenë një nga motrat, pikërisht Alda Nikolli, ajo që përmes një interviste në media ka folur hapur, pa dorashka dhe ka treguar lidhjet me të penduarin e drejtësisë, Nuredin Dumani.
Deri këtu nuk ka asnjë problem. Por detajet të çojnë diku tjetër. Vajza ka faktuar me prova lidhjet e saj me Dumanin, ka dhënë foto, video të cilat ajo i ka bërë teksa Dumani ndodhet në paraburgimin 313-të.
Nga kjo dëshmi duket qartë se në burgje, rregullat nuk respektohen për të gjithë njësoj.
Dumani në qeli i pajisur me teknologjinë e fundit, bën lidhje përmes skype më të dashurat dhe kjo e gjitha në shkelje të rregullores.
Nga dëshmia e vajzës duket qartë se bisedat nuk i nënshtrohen asnjë kontrolli, dhe ai madje arrin deri sa të porosisë dhe vrasje nga burgu.
Vajza gjithashtu ka treguar se Dumani vendos edhe gjoba.
Kujtojmë se Dumani është një nga të penduarit e drejtësisë dhe se bashku me Erjon Alibeajn, edhe ky nga Elbasani qëndrojnë në paraburgimin 313-të në një sektor të posaëm, të shkëputur nga pjesa tjetër e të paraburgosurve.
Ndërkohë që deklaratat e Alda Nikollit, duket qartë se Dumani vijon i pashqetësuar veprimtarinë e tij kriminale nga burgu, pavarësisht se gëzon statusin e të mbrojturit.
Kontrollet nga burgjet dhe SPAK duket se mungojnë për serial killerin Nuredin Dumani, i cili vijon të bëj jetë luksi në qelinë e burgut 313-të.
Alda Nikolli ka treguar se është e bindur që pas atentatit me tritol ne derën e banesës së tyre qëndron Nuredin Dumani.
Pjesë nga dëshmia e Alda Nikollit dhënë për Top Channel
“Nuredin Dumanin e kam njohur nëpërmjet kunatit tim Amarildo Xhanejt, që ndodhet në burgun 313. Mendova që donte të njiheshim, por paska pasur qëllim të na përdorë si mua dhe motrën time Xhovanën. Unë nuk e dija që Nuredini kishte të dashur jashtë. Mirjetën. E cila më kërcënoi, më tha më fakto që flet me Nuredinin. Kur ja faktova me një voice, 5 minuta më vonë Nuredini më mori në telefon dhe më kërcënoi. Më pas bllokoi adresat, më la të qetë dy ditë e pastaj veproi”, tregon ajo.
Ajo tregon se Nuredin Dumani pasi dështoi nga tentativa për të dëmtuar statusin e të penduarit të drejtësisë të Amarildo (xhanej) Nikollit nga të dhënat që merrte nga kunata e tij pasi kjo e fundit iu drejtua SPAK duke treguar komunikimet me të, ai veproi hapur në burg.
“Më ka kërcënuar me Amarildon, e ka rrahur dy herë në burg brenda 1 jave e gjysmë”, shprehet ajo për Top Channel.
Sipas Alda Nikollit, Nuredin Dumanin nuk e pengojnë muret e qelisë për të vijuar aktivitetin kriminal.
“Jo më larg se para ca ditësh i vuri gjobë Amarildo Nikollit 400 mijë euro, e ka detyruar të pranojë gjëra që si ka bërë me presion. Do t’i vinte gjobë dhe Dakut, Leonard Luzit. Ai kështu jeton duke u vënë gjoba njerëzve sepse nuk ka lekë”, shprehet ajo.
Për të gjitha këto ajo i është drejtuar policisë dhe SPAK, por shprehet se është lënë e braktisur.
“Kam shkuar në SPAK dhe në Policinë e Elbasanit, nuk ka shans të bëj një denoncim ndaj Nuredin Dumanit. Në SPAK më thanë ka dashur të të trembë jo të të vrasë, se di mbase këtë radhë edhe e arrin”, tha ajo.
