Organizatat e shoqërisë civile në Shqipëri kanë kërkuar një reformë të thellë në sistemin zgjedhor, duke theksuar se proceset elektorale vijojnë të përballen me probleme strukturore.
Në një raport të publikuar nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit dhe organizata Qëndresa Qytetare, theksohet se ndër sfidat kryesore mbeten politizimi i administratës zgjedhore, përdorimi i burimeve publike për qëllime elektorale dhe ndëshkueshmëria e ulët për shkeljet zgjedhore.
Sipas raportit, një nga rekomandimet kryesore është depolitizimi i administratës zgjedhore përmes krijimit të një trupe të përhershme komisionerësh të certifikuar dhe të përzgjedhur mbi bazë meritash, duke ulur ndikimin e partive politike në administrimin e zgjedhjeve.
Përfaqësuesja e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, Erida Skëndaj, theksoi se kallëzimet për presion ndaj votuesve apo për përdorimin e listave të zgjedhësve shpesh nuk shoqërohen me verifikime të plota.
Ndërkohë, përfaqësues të Ambasadës Britanike në Tiranë apeluan që reforma zgjedhore të jetë gjithëpërfshirëse dhe të adresojë rekomandimet kryesore të OSBE-ODIHR.
Nga ana tjetër, organizatat e shoqërisë civile kanë shprehur shqetësimin se ndryshimet e mëparshme në Kodin Zgjedhor kanë qenë vetëm ndërhyrje teknike dhe jo reforma të mirëfillta.
Sa i përket hetimit të krimeve zgjedhore, përfaqësues të prokurorisë kanë kërkuar zgjatjen e afateve kohore për hetime. Sipas tyre, krimet zgjedhore shpesh nisin disa muaj para ditës së votimit, ndërsa periudha aktuale prej 30 ditësh para dhe pas zgjedhjeve konsiderohet e pamjaftueshme për hetime të plota.
Raporti rekomandon gjithashtu forcimin e mbrojtjes për sinjalizuesit e shkeljeve zgjedhore, garantimin e barazisë së subjekteve politike në media, përmirësimin e funksionimit të Kolegjit Zgjedhor, si dhe rregullime më të qarta për votën e diasporës dhe bashkëpunimin mes institucioneve për hetimin e krimeve zgjedhore.
