Tensione në Rrjoll për resortin “Blu Borgo”, banorët përplasen me policinë

Data

Banorët e fshatit Rrjoll në Velipojë të Shkodrës kanë dalë sërish në protestë kundër ndërtimit të resortit luksoz “Blu Borgo”, projekt i sipërmarrësit Bashkim Ulaj. Ata pretendojnë se toka ku po zhvillohet investimi është pronë e tyre dhe akuzojnë kompaninë ndërtuese për grabitje të pronës.

Gjatë ditës së sotme janë shënuar tensione në zonën e kantierit, ku banorët janë përplasur me forcat e policisë. Sipas tyre, prania e madhe e efektivëve është në mbështetje të investitorit dhe jo për të garantuar të drejtat e komunitetit lokal.

Një prej banorëve akuzoi Ministrinë e Brendshme se ka dërguar forca të shumta policie në terren, duke theksuar se komuniteti po përpiqet të mbrojë tokën që e konsideron të vetën. Ai deklaroi se situata ka agravuar deri në shoqërime në polici dhe ndërhyrje fizike gjatë përplasjeve.

Edhe një tjetër banore, e pranishme në protestë me fëmijët e saj, kërkoi ndërhyrjen e institucioneve për të sqaruar pronësinë dhe për të garantuar drejtësi, duke theksuar se protestuesit nuk janë të armatosur dhe po qëndrojnë në tokën që pretendojnë si të tyre.

Në reagimet e tyre, disa banorë përmendën edhe emra zyrtarësh të lartë, duke i akuzuar për mbështetje të projektit. Situata në Rrjoll mbetet e tensionuar, ndërsa pritet një reagim zyrtar nga kompania ndërtuese dhe institucionet përgjegjëse lidhur me pretendimet e ngritura nga komuniteti.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related