Tjetër dosje korruptive për Ilir Beqajn, nesër vendoset fati i ish-ministrit për aferën e koncesionit të sterilizimit

Data

Nesër vendoset “fati” i ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj për aferën e Sterilizimit. I ndodhur në qeli për hetimet që po kryen për fondet e SASPAC, Beqaj do të paraqitet sërish në sallën e gjyqit. Seanca e fundit u mbajt më 26 korrik. Ajo u shty pas një mungese të pajustifikuar të një avokati. Është hera e katërt që kjo seancë pezullohet. Ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj është nën hetim nga SPAK prej një viti, si i dyshuar për shpërdorim detyre lidhur me 2 tendera të firmosura, për sterilizimin dhe check-up. Deri tani, për koncesionin 100 milionë euro në burg janë lënë ish-zv/ministri Klodian Rjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj.

Detaje nga dosja

Dosja ka futur në panik ish-ministrin, pasi protagonizmi i tij del jo vetëm në paracaktimin e fituesit të këtij koncesioni me vlerë 100 milion euro, por dhe në krijimin e një dëmi financiar në buxhetin e shtetit prej 588 milion lekë të vjetra, dëm i cili është përllogaritur deri në zbatimin e kontratës koncesionare në muajin Prill 2022. Ky dëm është llogaritur nga shpenzimet buxhetore në pagesat e ujit dhe energjisë elektrike, të cilat Ministri Beqja, ja ka hequr si shpenzime kompanisë “Sani Service”, duke ja arkëtuar shtetit. E gjithë praktika koncesionare është piketuar nga “trekëndëshi i Bermudës”, Ilir Beqja ministër, Ilir Rrapaj miku i ministrit dhe Klodian Rjepaj me detyrë zv/ministër Shëndetësie. Ndërsa zyrtarët e tjerë të ministrisë dhe përfaqësuesit e kompanive italiane, dalin në dosje si “argatë” apo shërbëtore të devotshëm të tre emrave të mësipërm, duke firmosur një kakofoni dokumentesh. Në media u zbulua se koncesioni ka qenë i trukuar. Madje dhe kontrata finale për përcaktimin e kushteve kontraktuale, është trukuar. Ka shumë gjasa dhe dyshime të arsyeshme që Draft-Kontrata është përpiluar jashtë zyrave të Ministrisë, në ndonjë takim privat mes treshes së shokëve Ilir Beqja, Klodian Rjapaj dhe Ilir Rrapaj. Dhe një fakt i tillë vërtetohet nga pasiviteti i Ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqja dhe zyrtarëve të tjerë Juridikë dhe Ekonomikë në Ministri, duke mos hedhur në tryezën e diskutimit asnjë kusht të kontratës së konçesionit 10 vjeçar. Njëherësh kontrata është dorëzuar në 4 dhjetor 2015 jo me postë, por dorazi nga “Sani-Service” në ministrinë e Shëndetësisë, gjë e cila tregon zhdërvjelltësinë dhe sigurinë që ka pasur Ilir Rrapaj me zyrtarët e ministrisë së Shëndetësisë.

Zbërthim i e-maileve

Përmes e-maileve të zbërthyera nga SPAK, del qartë se pavarësisht ngritjes së një grupi pune me disa emra në Ministri për të negociuar kushtet e kontratës, del qartë se atë e ka negociuar vetë zv/ministri i Shëndetësisë, Klodian Rjepaj, i cili më pas draftin ja ka kaluar anëtarëve të komisionit. Ndërsa në 10 Dhjetor 2015 kontrata është firmosur nga ministri Shëndetësisë, Ilir Beqja. Në dosje thuhet se SPAK ka sekuestruar procesverbalin e datës 8 dhjetor 2015, i cili është mbajtur në mënyrë të përmbledhur nga anëtarët e Komisionit të Dhënies së Koncesionit dhe përfaqësuesit ligjorë të operatorit ekonomik të shpallur fitues, për negociatat e Kontratës së Koncesionit, ku rezulton të jetë shtetasi Admir Daca. Në fundin e procesverbalit vërehet se kanë firmosur anëtarët e komisionit të dhënies së Koncesionit dhe përfaqësuesi ligjor i operatorit ekonomik të shpallur fitues Admir Daca. Ky i fundit paraqitej për herë të parë në këtë mbledhje dhe emri i Dacës, nuk ishte përmendur asnjëherë gjatë përpilimit të dokumenteve nga 2014 e në vijim. Kjo pasi sipas certifikatës së regjistrimit shoqëria “SaniService” ka filluar veprimtarinë në 3 korrik 2015 dhe “Administrimi” i saj i përkiste vlonjatit Bledar Rrokaj, një i besuar i Ilir Rrapaj. Ndërsa Admir Daca është emëruar Administrator i “SaniService” në 1 dhjetor 2015 dhe në datat kur thuhet se është kryer negocimi ky person nuk ka qenë administrator i kësaj kompanie.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related