Seancat e fundit të këtij sesioni kuvendor ishin një pasqyrë e hidhur për zhvillimet politike dhe ekonomike që po kalon vendi jonë. Një pjesë e mazhorancës për të fshehur aferat, krimin dhe pasuritë korruptive të tyre iu vërsulën si të tërbuar kryetarit te SPAK-ut,Z. Altin Dumani dhe kryetarit të KLSH-së, Z.Arben Shehu. Këto janë dy institucionet e pavarura,të cilat kohët e fundit me një veprimtari profesionale dhe përkushtim të veçantë po zbulojnë dhe po hetojnë veprimtaritë antiligjore të qeverisjes qendrore dhe lokale, të politikanëve dhe të mafias së lidhur me ta. Prandaj opinion i ndershëm publik këto dy institucione i vlerëson si institucionet e çlirimit të vendit nga kjo hordhi e vjedhjes së pasurisë kombëtare dhe të popullit.
Kjo është kriza më e rëndë që po kalon vendi në shpërdorimet dhe në vjedhjet që po I bëhet popullit mbas asaj të vitit 1997, kur firmat mashtrues , të mbështetura nga qeverisja e asaj kohe u vodhi masivisht popullit paratë dhe pasuritë duke e çuar vendin ne luftën civile me 4000 të vrarë. Po të bësh edhe tani llogaritjen e vjedhjeve zyrtare qe janë bërë nëpërmjet tenderëve, koncesioneve, shëndetësisë , rrugëve, ujsjellësave, etj mund të jetë më e madhe se ajo e firmave piramidale. Kjo ka tronditur shumë nivelin ekonomik të shtresës së mesme dhe veçanërisht e shtresës së varfër dhe pensionistëve.
Përveç këtij korrupsioni dhe krimit të organizuar ekonomik,qeveritaret dhe deputetët rritën rrogat e tyre me shifra tronditëse. 3.5 milion deputetet rrogën mujore plus 1.5 milionë dietat dhe shpenzimet mbështetëse i kalojnë 5 milionë në muaj. Pra politikë dhe qeverisje vetëm për interesat e kupolës me shtresat e poshtme të braktisura. Aq të pa përgjegjshëm sa anëtarët e Gjykatës Kushtetuese vazhdojnë me pagesat e viteve të mëparshme, kur anëtari gjykatës kushtetuese është personalitet më i lartë se deputeti. Për ti shpëtuar ndëshkimeve të tyre ligjore disa deputetë, kryesisht ata që janë akuzuar apo në pritje të akuzës propozuan ngritjen e dy nën komisioneve për të vënë nën kontroll SPAK-un dhe KLSH-ënë.
Dhe më tej të shkrijnë KLSH dhe ILDKP! Qëllimi është i qartë. Fshehja e aferave dhe pasurive të përfituara nga vjedhjet e buxheteve investuese, tenderave dhe mbështetjes europiane. Një komision për të luftuar korrupsionin, që quhet “Komisioni Xhafaj”, do të përdoret si një mashë nga të korruptuarit deputetë e qeveritarë për të goditur të gjitha ato institucione që i rrezikojnë nga burgu. Prej disa ditësh kemi parë një luftë frontale që i është hapur Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili i paraqiti Kuvendit bëmat e korrupsionit të rënduar , veçanërisht në të gjithë sektorët e shëndetësisë. Eduard Shalsi, si ‘snajper’ sulmoi Arben Sheun, teksa duket se në prapaskenë ka një plan për të shkrirë KLSH.
Ishte vetë Shalsi që njoftoi krijimin e një ligji të ri, teksa Jorida Tabaku tha të enjten në Kuvend se synohet të krijohet një Gjykatë Auditi. Por duket se plani është akoma më i thellë. Skaneri ka qëllim që të mos shkrihet vetëm KLSH, por dhe disa organe të tjera. Gjykata e Auditit do të marrë dhe kompetencat e ILDKP. Pra synohet që të shkrihet dhe Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive. Jo se aktualisht ILDKP i ka rrezikuar qeveritarët dhe politikanët , pasi ky institucion ka “vdekur”. Por deklaratat e pasurisë janë aty dhe SPAK e ka të lehtë t’i aksesojë. Këta iniciatorë të ligjeve kërkojnë të shkrijë Kontrollin e Lartë të Shtetit dhe ILDKPI dhe të krijojë një gjykatë auditi ku të mund të emërojë njerëzit e saj të besuar.
Por të shkrihen, të ndryshohen, sigurisht që kjo kërkon ndryshime kushtetuese,me 84 vota. Kjo do të vendoset nga qëndrimi i opozitës. Shtatori duket se do të vijë me shumë zhvillime. Përveç ndryshimeve të domosdoshme në qeveri,kryeministri Rama duhet të shmang përpjekjet e Eduart Shalsit, Plarent Ndrecës, etj për shkatërrimin e institucioneve të pa varura. SPAK-u duhet të veprojë më shpejt, mbasi raportet e KLSH janë alarmuese,tronditëse për korrupsionin dhe krimin e organizuar në të gjitha nivelet dhe në të gjitha hapësirat e vendit.
Fshatra e krahina të tëra ulërijnë për mungesën e ujit, kur investimet me 1,6 milionë euro e më shumë u vodhën dhe u hoqën edhe ujin që kishin më parë. Ashtu siç po luftojnë KLSH-ja me SPAK-un për çrrënjosjen e sëmundjes kanceroze të vjedhjeve masive, ashtu edhe qeveria me institucionet e saj duhet të pastrohet sa më parë nga hajdutët dhe të shkojnë me radhë para gjykatës, ndërsa partitë politike duhet të bëjnë skanerin e tyre dhe në zgjedhjet parlamentare të fshihen nga listat deputetët që kanë njollosur emrin e partive politike.
