Princi Andrew thuhet se ka reaguar me tone të forta kur iu komunikua se duhej të largohej nga rezidenca Royal Lodge në Windsor, mes presionit të vazhdueshëm publik për shkak të lidhjeve të tij të kaluara me Jeffrey Epstein.
Sipas raportimeve të mediave britanike, Andrew u detyrua të linte vilën me 30 dhoma në fillim të shkurtit, pronë ku kishte jetuar për vite me radhë duke paguar një qira simbolike. Largimi i tij erdhi në një klimë të ndjeshme për familjen mbretërore britanike, pas polemikave që vijojnë prej disa vitesh.
Thuhet se Mbreti Charles III ishte i shqetësuar për ndikimin që çështja kishte mbi imazhin e monarkisë. Megjithatë, Andrew nuk kishte dëshirë të zhvendosej në Wood Farm, në pronën Sandringham Estate në Norfolk.
Burime pranë oborrit mbretëror pretendojnë se gjatë komunikimit për largimin, ai ka përsëritur me zë të lartë: “Jam djali i dytë i mbretëreshës, nuk mund të ma bëni këtë”, duke treguar kundërshtim ndaj vendimit.
Andrew, i konsideruar dikur si një nga fëmijët më të afërt të Mbretëreshës Elizabeth II, ndante Royal Lodge me ish-bashkëshorten e tij, Sarah Ferguson. Deri më tani nuk ka pasur një reagim zyrtar nga familja mbretërore lidhur me detajet e raportuara për largimin e tij.
