Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, ka reaguar ashpër ndaj qëndrimeve të kryeministrit Edi Rama lidhur me pezullimin e Belinda Ballukut dhe nismën për ndryshime në Kodin e Procedurës Penale.
Në një deklaratë publike, Noka akuzoi Ramën se nuk po mbron ministren e tij, por po kërkon të mbrojë veten nga drejtësia. Sipas tij, shqetësimi real i kryeministrit nuk është pezullimi i një anëtareje të kabinetit, por frika nga hetimet që mund të afrohen drejt tij.
“Edi Rama nuk ka hallin e Ballukut, por të vetes. Ai trembet nga burgu, jo nga pezullimi,” theksoi Noka, duke shtuar se ndryshimet ligjore të propozuara synojnë të krijojnë një mburojë politike për kreun e qeverisë dhe rrethin e tij.
Zyrtari i PD-së kritikoi ashpër edhe propozimet për ndryshime ligjore, duke i cilësuar si përpjekje për të vendosur pandëshkueshmërinë e kupolës së pushtetit. Sipas tij, Rama po tenton të vendosë veten mbi institucionet e drejtësisë dhe mbi parimin e ndarjes së pushteteve.
Noka kujtoi gjithashtu propozime të mëparshme për ashpërsim të Kodit Penal, duke ironizuar faktin se, sipas tij, “kur e shkel qytetari, zgjidhja është burgu; por kur e shkel Rama, kërkohet ndryshimi i ligjit”.
Në fund të reagimit, ai u bëri thirrje qytetarëve që të shprehen publikisht më 20 shkurt përpara Kryeministrisë, duke theksuar se mbi pushtetet qëndron vetëm sovrani.
