Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka përsëritur qëndrimin e saj se pavarësia e institucioneve të drejtësisë është thelbësore për bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe SHBA-së, veçanërisht në luftën kundër krimit ndërkombëtar.
Reagimi vjen në një moment tensionesh mes qeverisë dhe organeve të drejtësisë, pas debatit të hapur mbi pezullimin nga detyra të zyrtarëve të lartë dhe paralajmërimeve për ndryshime ligjore. E pyetur mbi çështjen, ambasada amerikane theksoi se nuk komenton procese ligjore në zhvillim, por nënvizoi rëndësinë e ruajtjes së pavarësisë së sistemit të drejtësisë.
“Pavarësia e institucioneve të drejtësisë në Shqipëri mbetet thelbësore për bashkëpunimin e vazhdueshëm mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë në luftën kundër krimit ndërkombëtar”, thuhet në përgjigjen zyrtare.
Debati u intensifikua pas vendimit të Gjykatës së Posaçme për të pezulluar nga detyra zëvendëskryeministren dhe ministren e Transportit, Belinda Balluku. Kryeministri Edi Rama iu drejtua Gjykatës Kushtetuese duke kundërshtuar masën, ndërsa trupa gjyqësore u nda në votim 4 me 4, pa një vendim përfundimtar.
Pas kësaj, Rama paralajmëroi ndërhyrje në legjislacion për të adresuar situatën, një zhvillim që ka nxitur reagime dhe vëmendje ndërkombëtare mbi respektimin e ndarjes së pushteteve dhe funksionimin e shtetit të së drejtës në vend.
