Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër ndaj nismës ligjore të ndërmarrë nga mazhoranca për ndryshimin e rregullave mbi pezullimin e zyrtarëve të lartë, duke e lidhur atë me rastin e Belinda Ballukut.
Në një deklaratë për mediat, Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se po përpiqet të ndryshojë ligjin për të mbrojtur veten dhe ministrat e tij nga drejtësia.
“Dorëheqja e Edi Ramës është kushti i të gjitha kushteve për t’i hapur rrugën zgjidhjes së udhëkryqit më të rrezikshëm ku ndodhet Shqipëria. Vetëm dorëheqja e këtij armiku të rrezikshëm të paqes dhe stabilitetit është kusht themelor për zgjidhjen e kësaj krize,” u shpreh Berisha.
Sipas tij, ndryshimet e propozuara në Kodin e Procedurës Penale synojnë “asgjësimin e sistemit të drejtësisë” dhe krijimin e një mburoje ligjore për qeverinë.
Berisha theksoi se pezullimi i zyrtarëve nga detyra është një e drejtë ligjore dhe kushtetuese e prokurorisë dhe gjykatës, e cila shërben për mbrojtjen e interesit publik dhe garantimin e hetimeve të paanshme.
“Amandamentet që kërkon të sjellë kanë qëllim të mbrojnë personin Edi Rama dhe anëtarët e organizatës së tij kriminale,” deklaroi ai.
Reagimi i Berishës vjen në një moment tensioni të lartë politik, pas propozimit të mazhorancës për të kufizuar mundësinë e pezullimit nga detyra të funksioneve të larta kushtetuese, një nismë që ka ndezur debat të fortë publik dhe institucional.
