Hapja e aksit rrugor Thumanë-Kashar, si duket ka marrë edhe vëmendjen e kryebashkiakut të Shkodrës Benet Beci, i cili nga një postim në rrjetet sociale shpreh falenderimet për ministren e Insfrastrukturës, Belinda Balluku.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i opozitës, ku këta të fundit shprehen me ironi kundrejt Becit, duke i bërë të ditur se është kreu i Bashkisë Shkodër dhe jo drejtues i Fondit Shqiptar të Zhvillimit.
Ata shtojnë më tej se postimi i kryebashkiakut shkodran, ka si qëllim të vetëm rregullimin e marrëdhënieve me zv.Kryeministren, pa i kërkuar llogari për investimet që nuk po realizohen në Shkodër.
Reagimi i plotë nga këshilltarja demokrate Eliona Kodra Shkreli:
Kryebashkiaku I Shkodrës, Benet Beci, kujton se është akoma drejtues i Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe harron se është kryebashkiak I Kryeqendrës Veriore.
Ndoshta edhe për të rregulluar raportet jo të mira (sipas gojëve të liga) me Zv.kryeministren Balluku, kryebashkiaku i Shkodrës i bën elozhe dhe i thur lavde ‘armikes’ së tij në parti, për një investim që ska lidhje me Shkodrën, ndërkohë që nuk i kërkon llogari kryeministrit dhe Ministres së Infrastrukturës në lidhje me investimet që nuk po realizohen në Shkodër të cilat kanë qënë premtimet elektorale të Tij dhe Rilindasve të partisë që Ai përfaqëson.
Për të shkuar në Tiranë, shkodranëve u duhen së paku 4 orë dhe kjo situatë vjen për turpin e kësaj qeverie e cila nuk denjon të investojë në vazhdimin e autostradës Milot-Shkodër për arsyen e vetme se ka një urrejtje gjenetike për Veriun dhe zhvillimin e tij.
Z.Beci nuk thotë asnjë fjalë, asnjë kritikë ( të paktën sa për të larë gojën para shkodranëve) për faktin se vazhdimi i autostradës nuk është përfshirë në buxhetin e qeverisë për vitin 2024, por gjen kohë dhe falenderon publikisht për autostradën Thumanë-Kashar thua se është kryebashkiak i Durrësit apo Tiranës.
Z.Beci përpara se të përgëzojë rilindasit e Tij për rrugë që s’kanë lidhje me bashkinë që Ai përfaqëson si drejtues lokal, duhet të shtrojë pyetjet dhe të kërkojë llogari tek kryeministri dhe zv.kryeministrja për investimet e premtuara që akoma s’po shohin dritën jeshile në nisjen e punimeve si:
-Hyrja e Shkodrës
-Terminali I autobusëve
-Rruga Shirokë-Zogaj-Skje (në Krajë)
-Rruga Shëngjin-Velipojë
-Ura mbi Bunë që do lidhë Ulqinin me Velipojën.
Asnjë reagim për këto investime të cilat janë cilësuar strategjike dhe që përdoren nga kryeministri dhe kryebashkiaku vetëm për propagandë në prag të zgjedhjeve 2025, apo më herët se aq. Janë tallur me Shkodrën për 11 vite duke i hequr të drejtën e investimeve dhe vazhdojnë të tallen me premtime boshe.
Sot Shkodra vazhdon të jetë pjesë e propagandës qeveritaro-bashkiake, me investime zero, përveçse disa ‘arrnimeve’ të rrugëve apo bulevardeve në qytet me fonde të Fondit Shqiptar të Zhvillimit i cili gjithashtu ishte inekzistent për 11 vite, pavarësisht se Bashkia Shkodër aplikonte çdo vit për këto projekte që po realizohen sot.
Shkodra nuk është qyteti që mund të përdoret për të rregulluar marrëdhëniet Benet-Belinda…
Kujtoj se vetëm pak javë më parë zv.kryeministrja u shfaq në Shkodër dhe Velipojë, por në asnjë moment nuk u shoqërua nga kryebashkiaku i partisë së Saj, çka tregon marrëdhënien e krisur mes tyre bazuar në inate të vjetra thonë “gojët e liga”.
