Një incident tensioni ka shoqëruar takimin e kryeministrit Edi Rama me qytetarët në Divjakë, ku një fermer ndërhyri për të shprehur shqetësimin e tij për gjendjen e bujqësisë dhe mungesën e mbështetjes për fermerët.
Fermeri theksoi se ata janë “shtresa më e pambrojtur”, duke nënvizuar vështirësitë ekonomike dhe mungesën e ndihmës reale nga shteti. Ndërhyrja e tij shkaktoi reagim të ashpër nga kryeministri, i cili i kërkoi qytetarit të ulej dhe të respektonte radhën, duke theksuar se “mua njeri nuk më imponohet dot me forcë”.
Dialogu mes tyre u shoqërua me tone të ngritura, ndërsa fermeri këmbënguli se nuk po bënte politikë, por po fliste për hallet e familjes dhe tokës që punon. Rama, nga ana e tij, e cilësoi ndërhyrjen “absurde” dhe insistoi që diskutimi të vazhdonte sipas rendit të paracaktuar.
Ngjarja ka rikthyer në vëmendje marrëdhënien e tensionuar mes qeverisë dhe fermerëve, të cilët prej kohësh ankohen për mungesë subvencionesh, kosto të larta prodhimi dhe pasiguri për të ardhmen e tyre. Për shumë prej tyre, reagimi i kryeministrit shihet si simbol i një qeverisjeje që nuk dëgjon zërin e shtresave në vështirësi.
