Fshati Çiflik në bashkinë Dimal mbetet një nga zonat më të goditura nga përmbytjet e përsëritura gjatë muajit dhjetor 2025 dhe fillimit të janarit 2026. Brenda pak javësh, zona u përball katër herë me vërshime uji, duke shkaktuar dëme të mëdha në bujqësi dhe ekonomi familjare.
Edhe pse ka kaluar rreth një muaj nga përmbytja e fundit, dhjetëra hektarë sera, toka të hapura bujqësore dhe pemë frutore vazhdojnë të jenë të mbuluara nga uji. Në disa sera, niveli i ujit arriti deri në një metër, duke shkatërruar plotësisht kulturat që ishin në fazën e vjeljes.
Fermerët shprehen se humbjet janë të konsiderueshme dhe kanë prekur drejtpërdrejt të ardhurat e tyre, pasi shumica e familjeve në këtë zonë jetojnë nga bujqësia. Për shkak të lagështirës së lartë, mbjellja e fidanëve të rinj është e pamundur deri në tharjen e plotë të tokës, çka pritet të zgjasë edhe 2–3 muaj.
Situata paraqitet problematike edhe në tokat e hapura, ku pemët frutore vijojnë të qëndrojnë në ujë, duke rrezikuar dëmtime afatgjata të prodhimit. Banorët thonë se, ndonëse dëmet janë konstatuar nga strukturat përkatëse, deri më tani nuk kanë marrë asnjë mbështetje financiare.
Ata u bëjnë apel institucioneve shtetërore për dëmshpërblim dhe ndërhyrje të menjëhershme, duke theksuar se pa ndihmë do ta kenë të pamundur të rikthehen në një cikël normal prodhimi.
