Prokuroria e Durrësit ka sekuestruar dokumentacionin që lidhet me ndërtimin e hidrovorit të ri në Porto Romano, me vlerë rreth 19 milionë euro, në kuadër të hetimeve për përmbytjet e fundit që shkaktuan një viktimë dhe dëme të mëdha materiale.
Janë marrë dokumentet e projektimit, procedurat tenderuese dhe aktet e zbatimit të punimeve pranë Bashkisë së Durrësit. Hetimet po përqendrohen te dyshimet se hidrovori nuk ka funksionuar, duke ndikuar drejtpërdrejt në përmbytjen e zonës.
Tenderi për ndërtimin e hidrovorit është fituar nga kompanitë “Vëllezërit Hysa”, “2T” dhe “Adriatik”. Kjo e fundit zotërohet nga babai i ish-drejtorit të Ujësjellës-Kanalizimeve Durrës, çka ka ngritur dyshime për konflikt interesi dhe paracaktim të tenderit.
Situata në Durrës mbetet problematike, me rreth 1500 banesa dhe mijëra hektarë tokë nën ujë. Prokuroria po heton për shpërdorim detyre dhe përmbytje të pronës nga pakujdesia.
