Grabiti bankën për borxhet, gjykata lë në burg 61-vjeçarin

Data

Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për 61-vjeçarin Bardhyl Fusha, i cili pak ditë më parë grabiti me armë një filial banke në kryeqytet.

Seanca u zhvillua me dyer të mbyllura, ndërsa Fusha nuk ka dhënë deklaratë para gjykatës, duke ia lënë mbrojtjen avokatit të tij, Mirash Ndoci. Sipas mbrojtjes, 61-vjeçari ka vepruar nën presion të rëndë financiar, për shkak të detyrimeve të papaguara ndaj punonjësve dhe problemeve ekonomike të biznesit të tij në fushën e ndërtimit.

Avokati kërkoi një masë më të butë sigurie dhe zhvillimin e një ekspertimi psikologjik për të vlerësuar gjendjen mendore të klientit në momentin e ngjarjes, duke theksuar se bëhet fjalë për një akt të izoluar, të kryer në gjendje tronditjeje emocionale.

Sipas deklarimeve të dhëna në polici, borxhet e pashlyera të Fushës arrinin në rreth 70 mijë euro. Ditën e ngjarjes, ai dyshohet se ka qëndruar fillimisht në një lokal pranë bankës, ku ka konsumuar kafe dhe raki, përpara se të hynte i armatosur në ambientet e filialit.

Gjatë grabitjes, ai qëlloi një herë në dysheme dhe mori rreth 8 milionë lekë të vjetra nga një arkëtare, por u arrestua menjëherë në dalje të bankës. Hetimet për çështjen vijojnë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related