Tensione janë regjistruar në zonën e Rrjollit në Velipojë, ku banorët janë përplasur me forcat e policisë në përpjekje për të ndaluar punimet për ndërtimin e një resorti turistik.
Banorët kundërshtojnë projektin, duke pretenduar se toka mbi të cilën po ndërtohet është pronë e trashëguar prej tyre dhe se është përvetësuar në mënyrë të paligjshme. Sipas tyre, dokumentet e pronësisë janë falsifikuar dhe toka është regjistruar në emër të një ish-zyrtari të Kadastrës, i cili më pas ia ka shitur biznesmenit që po zhvillon projektin.
Gjatë përplasjes, banorët arritën të bllokojnë mjetet e rënda dhe të ndërpresin përkohësisht punimet, duke kërkuar transparencë të plotë mbi procedurat ligjore dhe verifikimin e dokumentacionit të pronësisë.
Ata deklarojnë se disponojnë dokumente të trashëgimisë, por pretendojnë se institucionet kanë njohur si të vlefshme aktet e paraqitura nga pala tjetër. Projekti në fjalë parashikon ndërtimin e një kompleksi turistik në një sipërfaqe prej rreth 146 hektarësh në zonën ranore të Velipojës.
Banorët kanë paralajmëruar vijimin e protestave dhe kërkojnë hetim nga organet e drejtësisë për pretendimet e tyre lidhur me pronësinë.
