Turbulenca në Europë: Tarifet e Trump tronditin tregjet, ari në nivel rekord historik

Data

Bursat kryesore europiane e nisën javën me rënie të ndjeshme, duke reflektuar pasiguritë e shtuara pas vendimit të presidentit amerikan Donald Trump për vendosjen e tarifave doganore ndaj vendeve europiane të përfshira në misionet ushtarake në Groenlandë.

Sipas deklarimeve nga Uashingtoni, duke nisur nga 1 shkurti, Danimarka, Norvegjia, Suedia, Franca, Gjermania, Britania e Madhe, Holanda dhe Finlanda do të përballen me tarifa doganore prej 10%. Ky vendim ka rritur frikën për një përshkallëzim të ri të tensioneve tregtare mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian.

Në Bruksel po shqyrtohet mundësia e pezullimit të marrëveshjes tregtare të vitit të kaluar me SHBA-në, e cila ende nuk është ratifikuar nga Parlamenti Europian. Presidenti francez Emmanuel Macron i ka cilësuar kërcënimet “të papranueshme” dhe ka paralajmëruar një përgjigje të koordinuar europiane, përfshirë përdorimin e instrumenteve mbrojtëse kundër presioneve ekonomike.

Tensionet po përkojnë me hapjen e Forumit Ekonomik Botëror në Davos, duke shtuar edhe më tej pasigurinë në tregje. Indekset kryesore europiane u hapën në territor negativ: Parisi -1,5%, Frankfurti -1,4%, Madridi -0,9% dhe Londra -0,6%. Sektorët më të goditur janë industria e automobilëve, mallrat e luksit dhe teknologjia.

Përballë kësaj klime të paqëndrueshme, investitorët po orientohen drejt aseteve të sigurta. Ari dhe argjendi kanë shënuar rritje të forta, me arin që ka arritur çmimin më të lartë në histori, një tregues i qartë i frikës së tregjeve nga një luftë e re tregtare dhe pasiguritë gjeopolitike.

Tregjet europiane po përballen kështu me një kombinim sfidash: tensione diplomatike, rrezik për përplasje tregtare dhe pritshmëri për reagime të forta nga Brukseli, zhvillime që pritet të ndikojnë ndjeshëm në ecurinë e ditëve në vijim.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related