Gazetarja Anduena Llabani ka hedhur akuza të forta lidhur me hetimet ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke pretenduar se gjatë procesit ka pasur tentativa ndërhyrjeje dhe presioni ndaj prokurorëve të çështjes.
Sipas saj, mesazhet e dërguara nga Balluku tek vartësit e saj tregojnë një klimë intimidimi, ndërsa situata është përshkallëzuar përtej kufijve të një hetimi të zakonshëm. Llabani u shpreh se dy prokurorë kanë sinjalizuar për tentativa ndikimi në proces.
Ajo shtoi se një prej prokurorëve të përfshirë në çështje ka kaluar procesin e vettingut nga një trupë ku bënte pjesë edhe motra e Ballukut. Sipas gazetares, këtij prokurori i është thënë: “Juve ju kemi kaluar ne”, duke lënë të kuptohet për një mesazh presioni. Po ashtu, sipas saj, është kërkuar kontroll i imtësishëm ndaj tij, me qëllim që të tregohet “i kujdesshëm” në trajtimin e çështjes.
Llabani theksoi se zhvillimet e fundit e kanë futur dosjen në një situatë të paqartë dhe me ndikim ndërkombëtar, duke sugjeruar se çështja nuk është më thjesht një debat i brendshëm politik, por një test për sistemin e drejtësisë në vend.
