Deputeti i Partisë Demokratike, Luan Baçi, akuzoi kryeministrin Edi Rama për ndërhyrje të hapur në drejtësi dhe përpjekje për të mbrojtur zëvendëskryeministren Belinda Balluku nga hetimet.
Sipas Baçit, Rama po ndryshon qëndrim ndaj reformës në drejtësi tani që hetimet kanë prekur mazhorancën. Ai tha se kryeministri, që më herët e ka quajtur SPAK-un të pavarur, sot po tenton të ndërhyjë në legjislacion për të mbrojtur veten dhe ministrat e tij.
“Është radha e Ramës dhe prangat tunden për tek zyra e kryeministrit”, u shpreh Baçi, duke shtuar se opozita do të vijojë kërkesat për heqjen e imunitetit të Ballukut dhe për vënien para drejtësisë të vetë Ramës.
Deputeti demokrat theksoi se mazhoranca i ka votat për të ndryshuar ligjet në Parlament, ndaj sipas tij opozitës i mbetet vetëm reagimi qytetar përmes protestave dhe presionit publik për dorëheqjen e kryeministrit dhe mbajtjen e zgjedhjeve të lira.
Baçi argumentoi se ndërhyrja në ligje për të shmangur përgjegjësinë penale është e papranueshme dhe se përgjegjësia politike, pas ministrave, shkon deri te kreu i qeverisë.
