Një nga figurat më të fuqishme të administratës qeveritare, Engjëll Agaçi, largohet nga posti i Sekretarit të Përgjithshëm të Kryeministrisë pas rreth 13 vitesh në këtë detyrë. Largimi i tij është komunikuar në një mbledhje informale të ministrave, ndërsa në media thuhet se arsyeja lidhet me çështje shëndetësore. Deri më tani nuk ka një njoftim zyrtar që sqarojnë nëse bëhet fjalë për dorëheqje apo shkarkim.
Agaçi ka qenë një nga njerëzit më të afërt dhe më me ndikim në kabinetin e kryeministrit Edi Rama, duke mbajtur një rol kyç në koordinimin e administratës shtetërore dhe vendimmarrjeve të rëndësishme qeveritare.
Në vend të tij pritet të emërohet Elsonida Rama, e cila ka ushtruar më herët detyra në Drejtorinë e Kodifikimit në Ministrinë e Drejtësisë.
Emri i Agaçit është përmendur në disa procese hetimore, përfshirë çështjen e inceneratorëve dhe procedura të tjera tenderimi, ku SPAK ka analizuar rolin e institucioneve qendrore në miratimin e kontratave. Ai vetë ka deklaruar më herët se Këshilli i Ministrave nuk ka përzgjedhur fituesit e kontratave, ndërsa hetimet vijojnë.
Largimi i tij shënon një zhvillim të rëndësishëm në strukturën e qeverisë, duke qenë se për më shumë se një dekadë ai është konsideruar si një nga figurat më me ndikim në administratën e lartë shtetërore.
