Drejtuesi i lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, ka deklaruar se nuk do t’i bashkohet protestës së thirrur nga Partia Demokratike më 20 shkurt, duke theksuar se opozita duhet të organizojë një tubim pa logo partiake dhe nën flamurin kombëtar.
Lapaj u shpreh se “sheshi nuk ka pronar” dhe se revolta qytetare duhet të jetë gjithëpërfshirëse, pa gardhe partiake. Sipas tij, protesta duhet të synojë dorëheqjen e qeverisë aktuale dhe krijimin e një qeverie tranzitore 12-mujore, e cila do të përgatisë reformë zgjedhore dhe zgjedhje të ndershme.
Ai theksoi se lëvizja që drejton ka kërkuar vendosjen e një proteste të përhershme 24 orë në shesh, heqjen e simboleve partiake dhe dakordësimin për një sistem proporcional kombëtar me lista të hapura. Sipas tij, për sa kohë këto kushte nuk plotësohen, nuk do të ketë bashkim me PD-në.
Lapaj njoftoi se protesta e radhës e thirrur nga “Shqipëria Bëhet” do të mbahet më 28 shkurt, duke e cilësuar atë si protestën e pestë kombëtare dhe duke paralajmëruar rritje të pjesëmarrjes.
