Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, ka dalë kundër projektit të njohur si TID në qytetin e Durrësit, duke e cilësuar atë si një ndërhyrje që cenon të drejtat kushtetuese të dhjetëra familjeve autoktone në lagjen historike të qytetit.
Sipas tij, projekti është hartuar pa transparencë dhe pa konsultim me banorët, të cilët rrezikojnë të përballen me shpronësime dhe humbje të pronave e bizneseve të tyre. Bylykbashi theksoi se familjet në fjalë përfaqësojnë një pjesë të gjallë të trashëgimisë kulturore të Durrësit, qytet me mbi 2700 vite histori.
Ai akuzoi autoritetet vendore dhe qendrore për nxitim dhe mungesë dialogu, duke shtuar se po cënohen të drejta themelore si e drejta e pronës, banesës, jetës familjare dhe dinjitetit njerëzor. Sipas tij, përdorimi i fondit prej 6 milionë dollarësh për projektin nuk justifikon, në asnjë rast, shkatërrimin e jetës së banorëve.
Deputeti kërkoi hetim nga SPAK për procedurat dhe interesat që, sipas tij, fshihen pas projektit, ndërsa deklaroi mbështetjen e Partisë Demokratike për protestat e banorëve.
