Policia e Tiranës ka finalizuar një operacion kundër shpërndarjes së lëndëve narkotike, duke arrestuar dy persona të afërm me njëri-tjetrin, të cilët dyshohet se kishin përshtatur banesën e tyre për prodhimin e tabletave ekstazi me qëllim shitjen.
Në pranga kanë rënë shtetasit E. L., 42 vjeç dhe B. L., 59 vjeç, banues në Tiranë. Arrestimi i tyre u bë në kuadër të operacionit policor të koduar “Blue Punisher”, pas disa javësh hetimesh të zhvilluara me metoda proaktive, nën drejtimin e Prokurorisë.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tyre, në rrugën “Ali Demi”, shërbimet e Policisë konstatuan një ambient të përshtatur posaçërisht për përgatitjen e tabletave të lëndës narkotike ekstazi (MDMA), të destinuara për t’u shpërndarë kryesisht në lokalet e natës.
Si prova materiale u sekuestruan 2200 tableta ekstazi, si edhe dy aparate celularë, të cilët dyshohet se përdoreshin për aktivitetin e paligjshëm.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore, ndërsa hetimet vijojnë për të zbuluar nëse ka persona të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
