Berisha sulmon Ramën për çështjen Balluku dhe çmimin e naftës: Më 22 mars t’i japim përgjigje “kryehajdutit”

Data

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, reagoi me një videomesazh ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar atë se po përpiqet të mbrojë me çdo kusht zv/kryeministren Belinda Balluku.

Berisha deklaroi se çështja e Ballukut është e lidhur drejtpërdrejt me kryeministrin dhe se, sipas tij, ajo nuk mund të konsiderohet e mbyllur pa largimin e Ramës nga pushteti.

“Çështja Balluku nuk mbyllet kurrë dhe është çështja Rama. Ajo mbyllet vetëm me largimin e Edi Ramës”, u shpreh ai.

Kreu i PD-së kritikoi gjithashtu projektin për zhvendosjen e portit tregtar nga Durrësi në Porto Romano, duke e cilësuar atë një mashtrim dhe një projekt që, sipas tij, do të dëmtojë interesat ekonomike të vendit.

Në reagimin e tij, Berisha u ndal edhe te çmimi i lartë i karburanteve në Shqipëri, duke e krahasuar me çmimet në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut. Sipas tij, taksat e larta janë arsyeja kryesore e rritjes së çmimeve.

“Çdo litër naftë që blini ka një nga taksat më të larta në botë, rreth 1.1 euro për litër. Ky është çmimi Rama”, tha Berisha.

Në fund të mesazhit të tij, ai u bëri thirrje qytetarëve të bashkohen në protestën e paralajmëruar më 22 mars, duke deklaruar se kjo do të jetë një përgjigje ndaj qeverisë dhe politikave të saj.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related