Media gjermane Deutsche Welle i ka kushtuar vëmendje protestës së zhvilluar në Tiranë, ku opozita u rikthye në shesh me thirrje për vijimin e aksionit kundër qeverisë.
Sipas raportimit, protesta u shoqërua me fjalime politike dhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të rendit. Situata u tensionua pas përfundimit të fjalës së kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili e cilësoi momentin politik si ndër më kritikët në 35 vitet e fundit dhe bëri thirrje për protesta të vazhdueshme deri në largimin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku dhe rrëzimin e qeverisë.
Pas fjalimit, drejt godinës së Kryeministrisë u hodhën molotovë dhe mjete piroteknike, ndërsa policia ndërhyri me gaz lotsjellës dhe mjete të tjera për shpërndarjen e turmës. Përplasjet u zhvendosën më pas pranë Kuvendit, ku situata u përshkallëzua.
Sipas autoriteteve, 16 efektivë policie mbetën të plagosur si pasojë e djegieve nga molotovët dhe u transportuan për ndihmë mjekësore. Në Spitalin e Traumës përfundoi edhe deputeti i Partisë Demokratike, Bledion Nallbati, i cili u lëndua gjatë përplasjeve.
Pas përfundimit të protestës, Berisha paralajmëroi një tjetër tubim më 20 shkurt, duke sinjalizuar vijimin e aksionit opozitar.
Protestat vijnë në një klimë të tensionuar politike, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që la në fuqi pezullimin e Gjykatës Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për zëvendëskryeministren Belinda Balluku.
