Një ngjarje e rëndë ka tronditur opinionin publik në Turqi, ku një 35-vjeçar i dënuar dyshohet se vrau tre familjarë dhe më pas i dha fund jetës së tij.
Sipas mediave turke, ngjarja ndodhi në lagjen Kuşkagız në Ankara. Autori, i identifikuar si Recep Cengiz, kishte marrë një leje 11-ditore nga burgu, ku po vuante një dënim katërvjeçar për mashtrim dhe kërcënime.
Raportohet se fillimisht ai ka vrarë nënën e tij 57-vjeçare dhe vajzën 8-vjeçare. Më pas është drejtuar në banesën e ish-bashkëshortes, ku dyshohet se e ka qëlluar për vdekje në hyrje të ndërtesës. Pas ngjarjeve, 35-vjeçari i dha fund jetës.
Autoritetet turke kanë nisur hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e krimit, ndërsa rasti ka ngjallur debat të fortë në opinion lidhur me procedurat e dhënies së lejeve për të dënuarit.
Ngjarja ka shkaktuar tronditje të thellë në komunitetin lokal, ndërsa institucionet përkatëse pritet të japin sqarime të mëtejshme mbi masat e sigurisë dhe vlerësimin e riskut në raste të tilla.
