Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka marrë fjalën në protestën kombëtare të opozitës, duke e cilësuar situatën aktuale si më të rëndën që Shqipëria ka përjetuar që nga rënia e komunizmit.
Nga podiumi përpara Kryeministrisë, Berisha deklaroi se qytetarët janë mbledhur në një “kryengritje paqësore”, në një moment alarmant për fatin e vendit. Ai theksoi se harresa e së shkuarës është rreziku më i madh për një komb, pasi historia, sipas tij, përsëritet kur nuk nxirren mësime.
Në fjalën e tij, Berisha iu referua diktaturës komuniste të Enver Hoxhës, duke e cilësuar atë si një nga regjimet më të egra dhe më represive në Europë, që u vodhi shqiptarëve 45 vite jetë, liri dhe zhvillim. Ai paralajmëroi se sot po bëhen përpjekje për rehabilitimin e asaj periudhe, gjë që e cilësoi si një rrezik serioz për shoqërinë.
“Enver Hoxha ishte një armik i egër i shqiptarëve, Hitleri shqiptar i pas Luftës së Dytë Botërore. Ky armik i pamëshirshëm na mbajti peng për 45 vite”, u shpreh Berisha.
Sipas tij, Shqipëria është një vend i bekuar me pasuri natyrore, tradita dhe një popull të fortë, por është goditur vazhdimisht nga qeverisje që kanë vepruar kundër interesit kombëtar. Berisha paralajmëroi se në këtë shekull, dëmet që po i shkaktohen vendit po ndodhin me një shpejtësi edhe më të madhe se në të kaluarën.
Ai theksoi se shpopullimi, varfëria dhe kapja e shtetit janë pasojat më të rënda të qeverisjes aktuale, duke e cilësuar situatën si një rrezik real për të ardhmen e Shqipërisë.
Në përfundim, Berisha u bëri thirrje qytetarëve të mos dorëzohen dhe të qëndrojnë në shesh për të mbrojtur lirinë, demokracinë dhe shtetin ligjor, duke theksuar se kjo betejë nuk është politike, por kombëtare.
