Qeveria shqiptare ndodhet nën një presion të fortë nga Bashkimi Evropian për çështjen e zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e cila ndodhet nën hetim nga SPAK. Burime diplomatike bëjnë me dije se mbrojtja politike që kryeministri Edi Rama po i ofron Ballukut rrezikon seriozisht procesin e integrimit europian, duke sjellë bllokimin e negociatave për kapitujt e drejtësisë.
Negociatat për kapitujt 23 dhe 24, që lidhen me gjyqësorin, janë shtyrë pa afat, ndërsa Shqipëria ende nuk ka marrë raportin e vlerësimit të standardeve të reformës në drejtësi (IBAR). Pa miratimin e këtij raporti nga shtetet anëtare të BE-së, procesi i mbylljes së grupkapitujve mbetet i pamundur.
Sot, kryeministri Edi Rama pritet të zhvillojë një takim në Bruksel me presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa, në një klimë politike të tensionuar. Sipas burimeve, në takimet e zhvilluara në nivel ambasadorësh është kërkuar qartësisht që Shqipëria të japë prova konkrete të luftës kundër korrupsionit në nivelet e larta të pushtetit, përfshirë vendime përfundimtare gjyqësore dhe sekuestrime pasurish.
Në këtë kontekst, rasti i Belinda Ballukut shihet si një provë kyçe për vullnetin real të qeverisë shqiptare për të lejuar funksionimin e drejtësisë së pavarur. Pengimi i mëtejshëm i SPAK dhe Gjykatës së Posaçme në këtë dosje rrezikon jo vetëm bllokimin e kapitujve të drejtësisë, por edhe rikthimin e negociatave në pikën zero, sipas metodologjisë së re të zgjerimit të BE-së.
BE kërkon veprim konkret, jo justifikime
Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila la në fuqi pezullimin nga detyra të Belinda Ballukut, topi tashmë ndodhet në dorën e Kuvendit. SPAK ka kërkuar që prej 16 dhjetorit lejen për arrestimin e saj, duke argumentuar se ekzistojnë elementë të rinj hetimorë që lidhen me shtatë lote të Unazës së Tiranës, tre tenderë të tjerë problematikë dhe koncesionin e rrugës Thumanë–Kashar.
Për muaj të tërë, mazhoranca ka shmangur dhënien e një përgjigjeje, duke e zhvendosur betejën në Gjykatën Kushtetuese. Me përfundimin e këtij procesi, presioni ndërkombëtar është rritur ndjeshëm. Burime nga Brukseli sinjalizojnë se pa heqjen e imunitetit dhe pa një veprim konkret nga Kuvendi, Shqipëria mund të përballet me mbylljen de facto të perspektivës europiane.
Ndërkohë, hetimet e SPAK po thellohen. Prokuroria po shqyrton seriozisht aplikimin e nenit 333/a të Kodit Penal, që lidhet me veprën e “grupit të strukturuar kriminal”. Nëse provohet se tenderët dhe koncesionet janë dhënë në funksion të një skeme të tillë, dënimet e mundshme për Ballukun dhe vartësit e saj mund të shkojnë mbi 15 vite burg.
Byroja Kombëtare e Hetimit ka kryer kontrolle ndaj zyrtarëve dhe biznesmenëve të dyshuar si pjesë e kësaj skeme, ndërsa janë sekuestruar materiale dhe prova që lidhen me pasuri të fshehura dhe përfitime të paligjshme.
Integrimi në pikëpyetje
Mesazhi nga Brukseli është i qartë: integrimi nuk ecën përpara me mbrojtje politike dhe bllokime institucionale. Çështja Balluku është shndërruar në një test vendimtar për qeverinë Rama. Nëse Kuvendi vazhdon të mbajë peng drejtësinë, portat e Bashkimit Evropian rrezikojnë të mbyllen për një kohë të pacaktuar.
