Serbia dhe Maqedonia e Veriut janë përfshirë zyrtarisht në rrjetin europian të AI Factories dhe AI Factory Antennas, duke siguruar financime direkte nga Bashkimi Europian për ndërtimin e qendrave kombëtare të inteligjencës artificiale dhe integrimin në infrastrukturën e superkompjuterëve europianë. Shqipëria, ndonëse prej qershorit të vitit të kaluar është pjesë e rrjetit EuroHPC, nuk ka përfituar asnjë financim konkret në këtë fazë të programeve.
Sipas hartës dhe listës zyrtare të publikuar nga Komisioni Europian, Serbia dhe Maqedonia e Veriut janë përzgjedhur si pjesë e dy projekteve rajonale AI Factory Antennas, që shërbejnë si porta kombëtare drejt ekosistemit europian të inteligjencës artificiale.
Miliona euro për Serbinë dhe Shkupin
Serbia do të përfitojë rreth 3.8 milionë euro nga Bashkimi Europian për projektin SAIFA (Serbian Artificial Intelligence Factory Antenna). Ky projekt synon krijimin e një platforme kombëtare që do t’u japë akses institucioneve publike, universiteteve, start-up-eve dhe industrisë në kapacitete superkompjuterike, mjete IA, databaza dhe ekspertizë teknike.
SAIFA do të lidhet drejtpërdrejt me qendrat PHAROS në Greqi dhe IT4LIA në Itali, duke mundësuar zhvillimin dhe testimin e aplikacioneve të inteligjencës artificiale në shkallë europiane, veçanërisht në sektorë si shëndetësia, energjia, mjedisi dhe përpunimi i gjuhës.
Ndërkohë, Maqedonia e Veriut ka nisur projektin “Vezilka”, qendrën kombëtare të inteligjencës artificiale me një vlerë totale rreth 6 milionë euro, e bashkëfinancuar nga BE përmes programeve Horizon Europe dhe EuroHPC, së bashku me qeverinë dhe partnerë vendorë. Qendra do të funksionojë si nyje lidhëse me Pharos AI Factory në Greqi, duke i dhënë akses institucioneve dhe bizneseve vendase në kapacitetet europiane të IA.
Shqipëria jashtë financimeve, pavarësisht retorikës për AI
Në kontrast të fortë, Shqipëria nuk rezulton përfituese e asnjë projekti financiar në këtë fazë, pavarësisht promovimit politik të inteligjencës artificiale dhe krijimit të një strukture qeveritare të dedikuar për këtë fushë. Kjo ndodh edhe pse vendi është pjesë e EuroHPC Joint Undertaking, rrjetit më të madh europian të superkompjuterëve.
Ekspertë të teknologjisë vlerësojnë se mungesa e një projekti konkret, e kapaciteteve kërkimore dhe e bashkëfinancimit kombëtar e ka lënë Shqipërinë jashtë skemës së parë të AI Factories, duke e pozicionuar pas vendeve të rajonit në garën për zhvillimin e ekonomisë dixhitale.
Çfarë janë AI Factories dhe Antennas
Programi europian i AI Factories synon të krijojë infrastrukturë industriale të inteligjencës artificiale duke bashkuar superkompjuterë, qendra të të dhënave, universitete dhe industri. Paralelisht, AI Factory Antennas janë qendra kombëtare ose rajonale që u japin vendeve pa superkompjuterë akses në fuqinë llogaritëse, databaza dhe ekspertizë teknike europiane.
Në periudhën 2021-2027, Bashkimi Europian parashikon mbi 10 miliardë euro investime në superkompjuterë dhe inteligjencë artificiale, ndërsa iniciativa InvestAI synon të mobilizojë deri në 200 miliardë euro investime publike dhe private në këtë sektor strategjik.
Përfshirja e Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut në këtë rrjet e forcon pozicionin e tyre teknologjik në rajon, ndërsa mungesa e Shqipërisë në listën e financimeve ngre pikëpyetje serioze mbi efektivitetin e strategjisë kombëtare për inteligjencën artificiale dhe aftësinë për të përfituar nga fondet europiane.
