Tensionet në Velipojë janë rritur pas protestës kundër ndërtimit të resortit turistik, ku një grup banorësh janë zhvendosur përpara Drejtorisë së Policisë së Shkodrës, duke kërkuar lirimin e 15 protestuesve të shoqëruar nga policia.
Banorët pretendojnë se ndaj tyre po ushtrohet presion i drejtpërdrejtë nga autoritetet për të mos vijuar protestat. Sipas tyre, gjatë qëndrimit në komisariat u është kërkuar që të lirohen vetëm nëse angazhohen se nuk do të dalin më në protesta.
“Shkojmë në tokën tonë dhe na arrestojnë. Na sjellin në komisariat dhe na thonë ‘do t’ju lëshojmë sot, por mos të vini nesër’. Kjo është presion i hapur”, deklaroi një nga banorët.
Ata akuzojnë biznesmenin Bashkim Ulaj dhe një tjetër shtetas për falsifikim dokumentesh dhe grabitje pronash, duke theksuar se po trajtohen si shkelës në tokën e tyre.
Banorët shprehen se do ta vijojnë rezistencën dhe se nuk do të tërhiqen nga protesta, pavarësisht presioneve, duke kërkuar ndërhyrjen e SPAK për ndalimin e punimeve dhe verifikimin e dokumentacionit të pronësisë.
“Ne jemi në tokën tonë dhe nuk do të ndalemi derisa të vendoset drejtësia. Do t’i drejtohemi sërish SPAK-ut që të ndalen punimet”, thanë banorët, duke paralajmëruar për protesta të tjera në ditët në vijim.
