Gazetarja Klodiana Lala ka paralajmëruar se zv/kryeministrja Belinda Balluku rrezikon pasoja të rënda ligjore nëse shkel vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila la në fuqi pezullimin e saj nga funksionet publike.
Në një intervistë televizive, Lala sqaroi se që nga momenti kur vendimi është shpallur zyrtarisht, Balluku nuk ka më të drejtë të ushtrojë asnjë funksion publik deri në një vendim të Apelit të GJKKO-së.
Sipas saj, çdo paraqitje në zyrë apo ushtrim kompetencash do të konsiderohej shkelje e drejtpërdrejtë e vendimit gjyqësor.
“Nëse Balluku shkon në zyrë dhe shkel vendimin e Gjykatës Kushtetuese, ajo mund të arrestohet në flagrancë,” tha Lala.
Gazetarja u ndal edhe te ndarja 4 me 4 e trupës së gjyqtarëve kushtetues, duke theksuar se një pjesë e tyre argumentuan se Balluku gëzon imunitetin e deputetit dhe SPAK duhej të merrte autorizim nga Kuvendi, ndërsa pala tjetër mbajti qëndrimin se për pezullimin nga funksioni nuk kërkohet leje parlamentare.
Sipas Lalës, fakti që Gjykata Kushtetuese nuk e konsideroi antikushtetues vendimin e GJKKO-së krijon një precedent të rëndësishëm. Kjo i jep SPAK-ut të drejtën që edhe në të ardhmen të kërkojë pezullimin nga detyra të zyrtarëve të lartë gjatë hetimeve.
“Vendimi nuk është i prerë në çdo detaj, por është mjaftueshëm i fortë për të ndaluar çdo ushtrim funksioni nga Balluku në këtë fazë,” përfundoi gazetarja.
