Gjykata Kushtetuese rrëzoi kërkesën e kryeministrit Edi Rama për të shpallur antikushtetues vendimin e GJKKO-së që pezulloi nga detyra zv/kryeministren dhe ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku. Vendimi u mor për shkak të mungesës së kuorumit prej 5 votash në favor të kërkesës së kryeministrit.
Me këtë vendim, Kushtetuesja hoqi masën e përkohshme të vendosur në dhjetor 2025 dhe riktheu në fuqi pezullimin e Ballukut nga detyra. Katër gjyqtarë votuan pro kërkesës së Ramës, duke argumentuar se SPAK duhej të kishte marrë autorizim nga Kuvendi, ndërsa katër të tjerë u shprehën se për pezullimin nga funksioni nuk nevojitet leje parlamentare, duke iu referuar ndryshimeve kushtetuese që kanë kufizuar imunitetin.
Rrëzimi i kërkesës së qeverisë nënkupton se SPAK ka kompetencë të kërkojë pezullimin nga detyra të anëtarëve të kabinetit qeveritar, pa pasur nevojë për autorizim politik. Ky precedent forcon rolin e drejtësisë dhe kufizon mbrojtjen institucionale për zyrtarët e lartë.
Çështja pritet të vijojë në shkallët e tjera të gjyqësorit, ndërsa pritet edhe shqyrtimi i ankimit individual të Ballukut. Megjithatë, vendimi i Kushtetueses shihet si një sinjal i fortë se hetimet ndaj zyrtarëve të lartë mund të avancojnë pa ndërhyrje politike.
