Pasuritë e konfiskuara nga aktivitetet kriminale po përdoren në shërbim të arsimit dhe komunitetit. Në Shkollën e Mesme Profesionale në Kamëz, më e madhja në vend, janë pajisur 7 klasa me logjistikë dhe materiale mësimore për praktikën profesionale, duke përmirësuar ndjeshëm kushtet për nxënësit.
Gjatë vizitës në shkollë, ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, theksoi se asetet e përfituara nga krimi dhe korrupsioni po i kthehen shoqërisë, duke shërbyer për arsimimin, shërbimet sociale dhe komunitetin. Ajo dha një mesazh të qartë: kush zgjedh rrugën e krimit, nuk do të përfitojë më nga pasuritë e paligjshme.
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, nënvizoi se arsimi profesional dhe teknologjia janë kyçe për të ardhmen e të rinjve, ndaj investimet në laboratorë, pajisje dhe ambiente janë thelbësore për rezultate reale.
Sipas institucioneve, këto iniciativa janë rezultat i bashkëpunimit mes strukturave ligjzbatuese dhe synojnë që pasuritë e konfiskuara të përdoren për arsim, strehim social dhe shërbime për shtresat në nevojë.
Mesazhi përfundimtar ishte i prerë: krimi nuk sjell pasuri, por humbje lirie, ndërsa asetet e paligjshme do t’i shërbejnë qytetarëve dhe brezave të rinj.
