Seuli në alarm: Rusia dhe Kina shkelin zonën ajrore të mbrojtjes, Koreja e Jugut dorëzon nota proteste ndaj Moskës dhe Pekinit

Data

Koreja e Jugut ka dorëzuar zyrtarisht nota proteste ndaj Rusisë dhe Kinës, pasi aeroplanë ushtarakë të këtyre dy shteteve u futën në Zonën e Identifikimit të Mbrojtjes Ajrore (KADIZ), duke rritur tensionet rajonale dhe shqetësimet për sigurinë ajrore.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Seulit, nota e protestës iu dorëzua atasheve ushtarakë të Pekinit dhe Moskës të akredituar në kryeqytetin korean, një ditë pas incidentit ajror.

“Ushtria jonë do të vazhdojë të përgjigjet në mënyrë aktive ndaj aktiviteteve të aeroplanëve të shteteve fqinje brenda KADIZ-it, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”, deklaroi Lee Këang-suk, drejtor i Byrosë së Politikave Ndërkombëtare në Ministrinë e Mbrojtjes së Koresë së Jugut.

Seuli informoi se kishte ngritur në ajër aeroplanë luftarakë për t’u përgjigjur taktikisht dhe për të qenë gati për çdo skenar të mundshëm, pasi avionët rusë dhe kinezë u identifikuan duke iu afruar zonës së saj të kontrollit ajror.

Zona KADIZ nuk përbën hapësirën ajrore sovrane të një shteti, por është hapësirë monitorimi ku vendet kërkojnë njoftim paraprak për sigurinë kombëtare — një kërkesë që Kina dhe Rusia e kanë anashkaluar rregullisht vitet e fundit.

Pas incidentit, Kina pranoi se kishte zhvilluar stërvitje të përbashkëta me Rusinë “në përputhje me planet vjetore të bashkëpunimit ushtarak”, ndërsa Moska e cilësoi fluturimin si stërvitje rutinë që zgjati 8 orë, duke pretenduar se avionë të huaj luftarakë i ndoqën gjatë manovrave.

Ky nuk është incidenti i parë i këtij lloji. Prej vitit 2019, avionët rusë dhe kinezë kanë depërtuar disa herë në zonën e mbrojtjes ajrore të Seulit, duke shkaktuar ngritjen emergjente të avionëve luftarakë koreanë. Ngjarje të ngjashme janë regjistruar në vitet 2022, 2023 dhe 2024.

Seuli e konsideron së fundmi këtë incident si sinjal alarmi dhe paralajmëron se do të ndërmarrë masa të forta ndaj çdo shkeljeje që cenon sigurinë e tij kombëtare.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related