Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku ka zgjedhur të përdorë precedentin e ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj si linjë mbrojtjeje përballë hetimeve të SPAK. Në rekursin e depozituar në Gjykatën e Lartë, avokatët e saj kanë argumentuar se të dhënat e marra nga telefoni i Ervis Berberit nuk mund të përdoren si prova, duke u mbështetur në një vendim të mëparshëm të Gjykatës Kushtetuese.
Sipas mbrojtjes, sekuestrimi dhe përdorimi i telefonit të një personi të tretë, pa një vendim të posaçëm gjykate, cenon të drejtën kushtetuese të komunikimit dhe privatësisë. Si precedent përdoret rasti i Onejda Ymerit, telefoni i së cilës u bllokua gjatë hetimeve ndaj Arben Ahmetajt, por më pas Gjykata Kushtetuese vendosi kufizime të qarta për mënyrën se si SPAK mund të sekuestrojë dhe të përdorë pajisjet elektronike.
Në bazë të këtij arsyetimi, avokatët e Ballukut kërkojnë që provat e siguruara nga telefoni i Berberit të shpallen të papërdorshme, duke e cilësuar të gjithë procesin hetimor të ndërtuar mbi këto të dhëna si të cenuar ligjërisht.
Një tjetër pikë e fortë e rekursit lidhet me masën e sigurisë “ndalim për të dalë jashtë shtetit”. Mbrojtja pretendon se Balluku nuk paraqet asnjë rrezik arratisjeje, duke sjellë si shembull disa udhëtime jashtë vendit pas komunikimit të akuzës nga SPAK, përfshirë edhe një udhëtim në Zvicër, nga i cili ajo është kthyer pa probleme.
Ndërkohë, SPAK ka vijuar hetimet paralele, duke kryer sekuestro dhe këqyrje të shumta, përfshirë edhe pajisje elektronike të biznesmenëve të përfshirë në tendera publikë. Megjithatë, një pjesë e vendimeve të Gjykatës së Posaçme janë pezulluar, në pritje të qëndrimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese.
Çështja Balluku po shndërrohet kështu në një tjetër betejë mes drejtësisë dhe pushtetit të lartë politik, ku precedentët ligjorë po përdoren jo për të zbardhur të vërtetën, por për të rrëzuar provat dhe për të shpëtuar nga përgjegjësia penale.
