Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka depozituar pranë Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kërkesën për zëvendësim të masës së sigurisë “arrest në burg”, duke kërkuar lirimin nga qelia ku ndodhet prej më shumë se një viti.
Kërkesa e Veliajt do të shqyrtohet nga gjyqtarja Etleva Deda, ndërsa Prokuroria e Posaçme pritet të paraqesë qëndrimin e saj lidhur me rrezikshmërinë dhe kushtet për ndryshimin e masës së sigurisë.
SPAK ka përfunduar hetimet më 10 shtator 2025 dhe ka dërguar për gjykim kryetarin e Bashkisë së Tiranës, i cili u arrestua më 8 shkurt 2025. Sipas prokurorisë, Veliaj përballet me 13 akuza të rënda, mes tyre korrupsion pasiv, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futje të sendeve të ndaluara në ambientet e burgut.
Një pjesë e madhe e akuzave lidhet me korrupsionin pasiv të kryer në disa raste, ku sipas SPAK, Veliaj ka përfituar shuma monetare dhe pasuri të paluajtshme nga kompani të ndryshme, të cilat më pas kanë përfituar leje ndërtimi dhe fonde publike nga Bashkia e Tiranës.
Në të njëjtën dosje është dërguar për gjykim edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, e akuzuar për korrupsion pasiv, pastrim parash, fshehje të ardhurash dhe mosdeklarim pasurie. Po ashtu, nën akuzë janë edhe dhjetëra persona të tjerë dhe subjekte tregtare, ndërsa një ish-deputete dhe një punonjës burgu akuzohen për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.
Vendimi për kërkesën e Veliajt pritet të shihet si një test i rëndësishëm për qëndrimin e drejtësisë ndaj një prej figurave më të fuqishme të pushtetit vendor në vend.
