Bledar Doçi, vëllai i Elvis Doçit të njohur si “Visi i Pojës”, është arrestuar në Turqi për llogari të drejtësisë italiane, ku ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për trafik të lëndëve narkotike. Arrestimi është kryer disa ditë më parë, ndërsa pritet nisja e procedurave për ekstradimin e tij drejt Italisë.
Sipas hetimeve të autoriteteve italiane, në bashkëpunim me Prokurorinë e Posaçme në Shqipëri, Bledar Doçi dyshohet si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës. Grupi akuzohet se ka trafikuar rreth 1.3 ton kokainë gjatë viteve 2020–2025.
Organizata kriminale dyshohet se drejtohej nga Elvis Doçi, i njohur si “Visi i Pojës”, një emër i njohur për drejtësinë shqiptare dhe italiane, i cili konsiderohet një nga figurat kyçe të trafikut të drogës me bazë në Durrës. Sipas dosjes hetimore, rrjeti kishte shtrirje në Shqipëri dhe Itali dhe përdorte linja tregtare për transportin e lëndëve narkotike nga Amerika e Jugut drejt porteve të mëdha europiane.
Prokuroria e Breshias ka lëshuar gjithsej 24 urdhër-arreste për anëtarë të këtij grupi, ndërsa ndaj 22 personave të tjerë janë vendosur masa sigurie. Hetimet kanë dokumentuar të paktën 30 episode trafiku droge në Itali dhe rreth 10 raste të tjera në Shqipëri dhe vende të ndryshme të Europës.
Elvis Doçi vijon të jetë në arrati që prej majit 2025, pasi i shpëtoi një operacioni të gjerë ndërkombëtar kundër trafikut të drogës. Autoritetet dyshojnë se ai ka përfituar nga rrjete mbështetëse dhe lidhje familjare për t’iu shmangur arrestimit.
Në këtë hetim janë përdorur edhe të dhëna të siguruara nga aplikacionet e komunikimit të enkriptuar, të cilat kanë ndihmuar në zbardhjen e roleve dhe aktivitetit kriminal të anëtarëve të grupit.
Arrestimi i vëllait të “Visit të Pojës” konsiderohet një goditje e rëndësishme ndaj rrjetit kriminal, ndërsa hetimet vijojnë për lokalizimin dhe kapjen e drejtuesit kryesor të organizatës.
