Kaos në AKSHI: Ankimohet tenderi 4.8 mln €, rrezikohet interneti i administratës

Data

Problemet në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit vijojnë të thellohen. Pas kaosit të shkaktuar nga mosfunksionimi i platformës SelfCare të Tatimeve, një tjetër shqetësim serioz është shfaqur për administratën publike: rreziku i ndërprerjes së shërbimit të internetit.

Këtë të enjte, tenderi me vlerë 4.8 milionë euro për shërbimin e internetit dhe intranetit për AKSHI-n dhe institucionet e tjera publike është ankimuar sërish në Komisionin e Prokurimit Publik. Ankesa është paraqitur nga një prej operatorëve pjesëmarrës në procedurë dhe lidhet me mënyrën e vlerësimit të ofertave nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave.

Ky nuk është rasti i parë që kjo procedurë përballet me pengesa. Që në muajin dhjetor, i njëjti tender ishte pezulluar pas ankesave të disa operatorëve ekonomikë mbi dokumentacionin dhe kriteret e procedurës. Edhe pse për një pjesë të pretendimeve Komisioni i Prokurimit Publik dha të drejtë, ankesat e vazhdueshme kanë sjellë vonesa të konsiderueshme në ecurinë normale të kontratës.

Tenderi është hapur fillimisht më 13 gusht 2025 dhe ka si objekt “Shërbimin e internetit dhe intranetit për Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit dhe institucionet publike”. Fondi limit i kontratës është 4.8 milionë euro, ndërsa shërbimi parashikohet të ofrohet për një periudhë prej 730 ditësh.

Sipas termave të referencës, qëllimi i kontratës është garantimi i një shërbimi të qëndrueshëm interneti dhe intraneti për të gjitha institucionet e administratës shtetërore nën përgjegjësinë e Këshillit të Ministrave. Operatori fitues do të duhet të sigurojë funksionim të pandërprerë të shërbimit, suport teknik dhe mirëmbajtje të linjave, në përputhje me standardet e parashikuara.

Megjithatë, zvarritjet e njëpasnjëshme rrezikojnë seriozisht vazhdimësinë e shërbimit. Tenderët që lidhen me sistemet IT dhe mirëmbajtjen e tyre janë ndër më të ankimuarit, duke krijuar shpesh boshllëqe funksionale në administratë.

Një situatë e ngjashme u regjistrua edhe me kontratën e mirëmbajtjes së fiskalizimit, me fond limit 7.7 milionë euro, e cila u ankimua disa herë dhe u shndërrua në një nga shkaqet kryesore të bllokimit të platformës SelfCare, duke paralizuar për rreth tre javë aktivitetin e mijëra bizneseve në vend.

Nëse historia përsëritet, administrata publike rrezikon të përballet me një tjetër krizë funksionimi, këtë herë për një shërbim jetik siç është interneti, duke ekspozuar edhe një herë dobësitë serioze në menaxhimin e tenderëve dhe sistemeve digjitale shtetërore.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related