Një student u bë pjesë e protestës së 27-të kundër qeverisë duke tërhequr vëmendjen me një megafon të vendosur në shpinë, në një gjest simbolik që, sipas tij, synonte të ironizonte faktin se zëri i protestuesve nuk po dëgjohet nga institucionet.
Duke folur për mediat gjatë grumbullimit të qytetarëve, ai tha se megafoni ishte një mënyrë për të përcjellë më qartë mesazhet e protestës.
“Meqë Rama e ka të vështirë të na dëgjojë, thamë të sjellim një sistem. Numrat dhe qëndrueshmëria janë, nëse nuk na dëgjon,” u shpreh studenti.
Ai shtoi se protestuesit vijojnë të kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, si edhe një të ardhme më të mirë për të rinjtë në Shqipëri.
“Duam zgjedhje të lira, pa manipulime dhe patronazhistë. Duam një të ardhme në Shqipëri. Po sjellim megafonë më cilësorë dhe pankarta që ta kenë të gjithë të qartë se kërkesat nuk ndryshojnë,” deklaroi ai.
Protestuesit janë mbledhur në qendër të Tiranës për të vijuar marshimin drejt godinës së Kryeministrisë, në kuadër të protestës së përnatshme, të cilën organizatorët e cilësojnë si paqësore dhe të fokusuar në kërkesat për ndryshim politik dhe institucional.
