Një 28-vjeçar shqiptar është arrestuar nga autoritetet italiane pasi u kap duke transportuar rreth 30 kilogramë kokainë, një sasi me vlerë miliona euro në tregun e drogës. Arrestimi u krye nga karabinierët e Tenenza di Cologno Monzese, në periferi të Milanos.
Sipas mediave italiane, automjeti i të riut kishte ngjallur dyshime pasi ishte parkuar në një zonë të izoluar pranë unazës rrugore. Pas ndalimit dhe kontrollit të detajuar të mjetit, forcat e rendit zbuluan në bagazh 26 pako të mbështjella, që përmbanin rreth 30 kilogramë kokainë të pastër.
28-vjeçari u arrestua në flagrancë dhe, me urdhër të Prokurorisë së Monzës, u dërgua në burg. Autoritetet italiane kanë nisur hetimet për të zbuluar nëse i riu ishte pjesë e një rrjeti të organizuar kriminal dhe cili ishte destinacioni përfundimtar i lëndës narkotike.
Ngarkesa e konsiderueshme ka ngritur dyshime të forta për një aktivitet të strukturuar trafiku, ndërsa hetimet pritet të shtrihen edhe në bashkëpunë me autoritete të tjera ligjzbatuese.
