Ish-deputeti i Partisë së Lirisë, Petrit Vasili, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama për protestuesit e opozitës, duke i kujtuar atij ngjarjet e 21 janarit 2011.
Në një postim në rrjetet sociale, Vasili akuzon Ramën për hipokrizi, duke thënë se nuk ka asnjë të drejtë morale të flasë për respekt ndaj policisë apo të kritikojë qytetarët që protestojnë, kur vetë ka ushtruar dhunë ndaj uniformave blu në të kaluarën.
Ai ka publikuar edhe pamje nga 21 janari, ku sipas tij Rama shfaqet duke sulmuar policinë me drunj, hunj dhe molotovë, madje duke përdorur edhe flamurin kombëtar si mjet dhune.
“Rama, mbylle gojën, sepse askush nuk harron dhunën kriminale të 21 Janarit”, shkruan Vasili, duke theksuar se kjo ngjarje mbetet një plagë e hapur dhe një kujtesë e fortë për mënyrën se si, sipas tij, kryeministri ka vepruar kur ishte në opozitë.
Reagimi i Vasilit vjen në vijim të tensioneve politike pas protestës së fundit të opozitës dhe deklaratave të Ramës ndaj protestuesve.
