Adriatik Lapaj zhvilloi një takim me qytetarët në Berat, ku bëri thirrje për pjesëmarrje masive në protestën e paralajmëruar më 31 janar, ora 18:00, në Tiranë. Në fjalën e tij, Lapaj ngriti akuza të forta për korrupsion ndaj qeverisë, duke renditur shifra dhe raste që, sipas tij, provojnë abuzimin me fondet publike.
Ai deklaroi se vetëm në një projekt tuneli janë deformuar 53 milionë euro, ndërsa te dosja e AKSHI-t rezultojnë rreth 100 milionë euro të vjedhura, ku 10 milionë euro janë faturuar për blerje “çokollatash”. Sipas Lapajt, këto nuk janë blerje reale, por fatura fiktive për të zhdukur paratë e qytetarëve, ndërkohë që institucionet justifikohen me mungesë sistemi.
Lapaj theksoi se ai dhe bashkëpunëtorët e tij kanë refuzuar çdo pazar politik dhe se akuzat e korrupsionit, sipas tij, mbështeten edhe nga hetimet e Prokurorisë. Ai u shpreh se qeveria ka humbur çdo legjitimitet moral dhe politik dhe shtroi pyetjen drejtpërdrejt: “Çfarë duhet të bëjë më shumë një qeveri për t’u rrëzuar?”
Në përfundim, Lapaj u bëri thirrje qytetarëve të reagojnë dhe të dalin në shesh kundër padrejtësive, duke e cilësuar protestën si mjetin e vetëm për t’i dhënë fund korrupsionit dhe keqqeverisjes.
