Presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar Kanadanë me vendosjen e tarifave deri në 100% për të gjitha mallrat kanadeze që hyjnë në Shtetet e Bashkuara, nëse Otava arrin një marrëveshje tregtare me Kinën. Deklarata u bë përmes një postimi në rrjetet sociale, ku Trump theksoi se SHBA nuk do të lejojë që Kanadaja të shndërrohet në një “portë hyrëse” për produktet kineze drejt tregut amerikan.
Sipas tij, çdo përpjekje për të përdorur Kanadanë si ndërmjetëse për mallrat kineze do të përballet me masa të menjëhershme ndëshkuese. Trump nuk sqaroi konkretisht se cilës marrëveshje i referohej, por paralajmërimi vjen pas njoftimeve të fundit për një partneritet strategjik mes Kanadasë dhe Kinës.
Nga ana tjetër, autoritetet kanadeze kanë deklaruar se nuk ekziston një marrëveshje e tregtisë së lirë me Pekinin, por vetëm zgjidhje për disa çështje tarifore. Kanadaja ka shprehur synimin për të diversifikuar tregtinë e saj, duke ulur varësinë nga SHBA, në një klimë të tensionuar marrëdhëniesh ekonomike.
Tensionet mes Uashingtonit dhe Otavës janë rritur ndjeshëm ditët e fundit, ndërsa paralajmërimi i Trump sinjalizon një përplasje të re tregtare që mund të ndikojë drejtpërdrejt ekonominë e dy vendeve.
